VMRO dhe BDI të brengosura për sigurinë e Çavkovit, gjendet në burgun e njëjtë me Grupin e Kumanovës?!

Në radhët e VMRO-DPMNE-së po mbretëron brengosje e thellë për sigurinë e ish ministrit të punëve të brendshme, Mitko Çavkov. Alarmi në këtë parti është ndezur për shkak se Çavkov tani gjendet në burgun e Shutkës, në të njëjtin burg ku gjenden edhe shumica e pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës. Brengosje e njëjtë mbretëron edhe te disa funksionarë të BDI-së, njoftojnë burime partiake për Gazetën Lajm. Brenga e përfaqësuesve të BDI-së është e dyfishtë. “Në njërën anë janë të brengosur për shkak se u dhimbset miku u tyre Mitko Çavkov, kurse në anën tjetër kanë frikë se ai në burg mund të zbulojë gjëra lidhur me rastin e Kumanovës, Monstrës, por edhe për 27 prillin”, kanë thënë burime partiake, të cilat rikujtojnë se Çavkov është ministri i preferuar i BDI-së, sepse e votuan dy herë në këtë post.

Ndryshe në burgun e Shutkës për momentin gjenden më shumë se 10 pjesëtarë të Grupit të Kumanovës. Mes tyre është Sami Ukshini-Komandant Sokoli, Andi Krasniqi-Komandant Malisheva, Demë Shehu, Esat Kafexholli, Qenan Iseni, Hajrush Avdija, Sevdail Miftari, Bajram Elshani, Elham Arifi, Lirim Krasniqi, Sulejman Osmani dhe të tjerë.

Në këtë burg tani gjenden edhe tre deputetë të VMRO-DPMNE-së, partnerit të deridjeshëm të BDI-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *