Vetëm 16 vjeç, shqiptari i Shkupit thyen rekordin historik

Po flitet shumë për talentin 16-vjeçar të FC Shkupit, Suhel Muharemi. Djaloshi, i cili përveçse bëri që skuadra e tij të barazojë rezultatin në 2-2 në Manastir ndaj Pelisterit, theu edhe një rekord të ri në kampionatin e ligës së parë të Maqedonisë, duke u bërë futbollisti më i ri që ka shënuar gol.

Për “Bota Sot” talenti tregon ëndrrat që ka në karrierë.

“Shkupi është një skuadër e madhe dhe është nder dhe krenari për mua që të jem pjesë e skuadrës kampione dhe fituese e Kupës së Maqedonisë. Ne si futbollistë që rrjedhim nga shkollat e futbollit, e kemi ëndërr që sa më shpejt të veshim fanellën e shtrenjtë të skuadrës së parë dhe të jemi pjesë me futbollistët e mëdhenj, të cilët janë edhe udhërrëfyes për ne”, thotë 16-vjeçari.

Për rekordin që theu, duke shënuar në kampionatin maqedonas gol si lojtari më i ri në moshë, Muharemi deklaroi: “Unë nuk e kisha ditur një gjë të tillë, thjesht nuk kam pasur informacion se kush ka shënuar golin në moshë më të re. Mua m’u dha rasti dhe unë e shfrytëzova atë, por shpresoj që kjo të mos jetë hera e fundit, por të vazhdoj edhe në të ardhmen të jem ndihmë e klubit tim, të cilin e dua që nga fëmijëria”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *