Shqipëria “Cannabis Republic” ?

image

Nga Artur Zheji/Çfarë po ndodh në Shqipëri, tani që po afrohet koha e korrjeve, të Barit Magjik dhe çudibërës, thënë ndryshe cannabis sativa? Mediat italiane apo greke, dhe jo vetëm ato, në disa raunde po shkruajnë për një trafik, intensiv që vjen nga vendi ynë, me të gjitha mjetet e mundshme. Njoftimet e brendshme, të censuruara në mediat tona, flasin për një epidemi mbjelljesh të kanabisit, në të gjithë territorin e Atdheut tonë të varfër. Shqiptarët janë të pushtuar nga ethet e Arit të Blertë! Nga Veriu në Jug dhe nga Lindja në Perëndim!

Por a kanë faj shqiptarët për këtë? Marrin borxh fshatarët e varfër 2-3000 euro për të blerë farën e “bekuar” thuhet…. Pastaj, gjithmonë thuhet, se paguajnë edhe 2-3000 euro policin apo policinë e zonës, që të mbyllë pak sytë andej nga bahçet e veta, rrëfejnë. Pastaj i përvishen punës mëngjes, drekë, darkë, që Bima të mbijë e të hedhë shtat. Por duhen dhe nja 2000 euro të tjera, për tu armatosur, sepse e dinë, që kanë mbjellë ca “bimë të arta” në tokën e tyre, të vaditur me gjak e djersë, dhe ku mjeranët që na mbajnë me bukë dhe taksa, presin orë pas ore, të rritet e të hedhë shtat, Fati i Jetës së tyre. Bima Magjike e Kanabisit!

Dhe e ruajnë me syrin pishë, duke rrezikuar jetën e tyre, thuhet. Sepse ujqit dhe çakejtë, presin sa ajo, “Bima Magjike”, “Bima Shpresë pra!”, të rritet e të korret dhe ata, Ujqit dhe Çakejtë, të organizuar në Banda, mund të hyjnë me maska dhe armë, me ndonjë kallauz nga segmentet e korruptuara të policisë lokale dhe t’ua grabisin “Shpresën”, që e rrisin si fëmijën e vetëm.

Sepse nëse e humbin atë korrje, zhyten në borxhe të frikshme, të cilat zgjidhen vetëm me një arrati, nga sytë këmbët dhe pa kthyer më kokën pas nga Shqipëria. Si mjaft të tjerë, dhjetëra e mijëra, këto kohë të zymta zhgënjimesh. Interesante dhe “pozitive”, thuhet, që për “fat të mirë”, mbjellësit e shumtë të “Bimës Magjike”, nuk janë vetëm frymorë të Popullit të Majtë, por edhe frymorë të Popullit të Djathtë, apo dhe të Popullit miks. Sepse punë nuk ka, apo si thotë kryeministri diku, “punë ka”, por shqiptarët duan të zgjedhin punërat e tyre (?!) dhe vegimi se do të hapen 300.000 vende të reja pune, me sa duket, është zvenitur përfundimisht.

Dhe kësaj situate, nuk mund ti japë zgjidhje të ashpër Policia. Sepse Cunat me uniformë, nuk mund ti shkulin dot zemrën e shpresës, gjysmës së popullit rural, nga Vermoshi në Konispol, si edhe thuhet. Aq më tepër që këtë vit kemi qenë mirë me shira. Se kjo Bima Magjike lyp edhe shumë ujë derëzeza. Këtë vit të bekuar, Perëndia na dërgoi nga qielli, ujë me bollëk të paparë. Dhe Bukuroshja, ka hedhur shtat dhe është harlisur për shtatë palë qejfe, sa është mëkat të mendosh se do ta shkulin.

Dhe jam gati të shkruaj që ta lënë këtë bereqet, për popullin fukara! Dhe të denoncojmë nëse kemi by., “grosistët” grabitqarë, sepse ata janë e Keqja e kësaj dukurije dhe jo popull qyqari! Që na mban të gjithëve mbi kurriz të vet. Në atë kurriz të thyer dhe të palosur më dysh.

Dhe ndoshta është më mirë, që ne, ta mbyllim gojën që të gjithë, tash e tutje që të marrë ndonjë dyshkë mbrapsht populli ynë i këputur e mjeran! Se duhet paguar nga populli, elektriku dhe uji i çezmës, duhet paguar taksa e Rtsh-së, duhet paguar shkolla e fëmijëve, duhen hequr ca borxhe te listat e vajit, sheqerit dhe kripës, duhen blerë ca këpucë të reja për kalamaqërit, epo dhe ndonjë celular të dorës së tretë, apo nga ato të vjedhurat, që të marrë vesh dhe populli i fushave, kodrave dhe maleve, se cfarë bëhet nëpër qytetet me shumë drita.

Ta pranojmë pra, pa hipokrizi, se ne jemi një “Cannabis Republic” dhe se cfarë kemi në nëntokë, na e vjedhin dhe na e shqepin, vendas e të huaj, duke fshehur të ardhurat dhe duke shmangur taksat, duke u mjaftuar me ca zarfe të rëndë, që dërgojnë sistematikisht në vendin e duhur. Dhe duke varrosur pa zhurmë e bujë, viktimat e shumta të punës në Shqipëri, ndër kompani dhe ndër sipërmarrje, të bardha, të zeza apo gri, dhe që nuk përbëjnë lajm asnjëherë, në mediat tona kaq të lidhura me biznesin dhe qeveritarët. Investime të mëdha po nuk kemi, apo nuk dimë të tërheqim dhe me fjalimet e bukura apo intervistat mallëngjyese të Ramës, popull ziu, nuk ushqehet dot, as për një vakt të vetëm, pamvarsisht se cfarë mendojnë adhuruesit e kryeministrit, apo nënkontraktorët e tij mediatikë.

Sepse është më mirë të kemi ca të korra popullore të Bimës Magjike, se sa, të mbetet kjo “pasuri”, si një ekskluzivitet i ca të përkëdhelurve të pushtetit, me maska, me makina të blinduara, me magazina gjigande pranë rrugëve kombëtare, ku të gjithë pëshpërisin se dinë se cfarë malli kanë brenda, kush e ka dhe kush e ruan dhe se, kush kerkojnë pjesë të rëndësishme të të ardhurave, duke krijuar kështu një Super Pushtet, të Krimit dhe Antishtetit, që flirton me Shtetin dhe na tremb të gjithëve. 360grade.al

You must be logged in to post a comment Login

Contact Form Powered By : XYZScripts.com