“Plani për Jerusalemin, sulm ndaj umetit musliman”

Kryetari i Byrosë politike të Hamasit, Ismail Henije, paralajmëroi se plani i SHBA-ve për njohje të Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit është i rrezikshëm

Kryetari i Byrosë politike të Hamasit, Ismail Henije, paralajmëroi se plani i SHBA-ve për njohje të Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit është i rrezikshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Henije, për kanalin Al-Jazeera me qendër në Katar deklaroi se vendimi i SHBA-ve është një “aventurë” dhe “bixhoz i pallogaritur”, pasojat e të cilit nuk mund t’i parashikojë askush.

“Ky vendim do jetë fillimi i një periudhe me zhvillime të frikshme për rajonin dhe ka cilësinë e një sulmi ndaj popullit palestinez, vlerave të shenjta që Jerusalemi i posedon dhe ndaj umetit musliman”, tha Henijje, duke i bërë thirrje qeverisë amerikane të heqë dorë nga vendimi.

Ai vlerësoi se marrja e vendimit “do të jetë përfundim zyrtar i afatit për zgjidhje” dhe shtoi se populli i Palestinës nuk do të dorëzohet para prirjeve të fundit të SHBA-ve dhe se e posedon fuqinë për ta zhvlerësuar vendimin e marrë.

“Vendimi nuk do t’i ndryshojë të vërtetat gjeografike dhe historike. Jerusalemi do të mbetet nën identitetin musliman dhe arab. Në tokat tona nuk ekziston një shtet i quajtur Izrael, andaj nuk ka pse të ketë kryeqytet të tij”, theksoi Henijje.

Ndryshe, pritet që presidenti i SHBA-ve Donald Trump të deklarojë vendimin e marrë për zhvendosje të ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem, edhe përkundër rezolutës 478 të Këshillit të Sigurimit në vitin 1980 e cila nuk e njohu aneksimin e Jerusalemit Lindor dhe shpalljen për kryeqytet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *