Ivanov nuk e nënshkruan Ligjin për gjuhën shqipe, plani për zvarritje

Presidenti Gjorgje Ivanov nuk do ta nënshkruajë Ligjin për gjuhët, që rregullon përdorimin
zyrtar të gjuhës shqipe. Një burim i afërt me kabinetin e presidentit Ivanov tha për INA se
është shumë e qartë se nuk do ta nënshkruajë dhe do të vendos veto për këtë ligj.
“Është mëse e qartë se presidenti Ivanov nuk do ta nëshkruajë ligjin për gjuhët. Ky vendim
është i qartë dhe se të hënën presidenti do ta jap arsyetimin e tij.”, theksuan për INA,
burime të afërta me presidentin.
Kabineti i tij është mbyllur orëve të fundit dhe nuk ka dhënë asnjë qëndrim për mediat, gati
disa ditë që kur ky ligj mori dritë jeshile nga 69 deputetë.
Nëse Ivanov vendos që të mos e miratojë ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili i mundëson
një shtrirje më të gjerë përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe, ky ligj në afat prej 30 ditëve
nga dita e miratimit, përsëri kthehet në diskutim në Kuvend për t`u miratuar, por në atë
rast mjafton të sigurojë shumicën e thjeshtë, pa pasur nevojë të firmoset dhe nga
presidenti.

Kryeparlamentari Talat Xhaferri, por edhe partitë e maxhorancës kanë theksuar se presin që
Ivanov ta nënshkruajë ligjin, që më pas të hyjë në fuqi.
Por se sa do të ndodhë zbatimi i tij, ekspertët dhe njohësit e zhvillimeve politike kanë
shumë dilema.
“Mendoj se zbatimi i këtij ligji do të jetë shumë i vështirë për shumë arsye, për shkak të
mungesës së kuadrit, mungesës së mjeteve dhe më e rëndësishmja, mungesës së vullnetit
politik. Andaj, miratimin e këtij ligji nuk e shoh si përmbyllje të një kapitulli shumë të
rëndësishëm të Marrëveshjes së Ohrit ose si frymë që buron nga ky dokument kornizë”,
theksoi ditë më pare për Evropën e Lirë, profesoresha e çështjeve juridike, Mirjana
Najçevska.
Se presidenti Ivanov nuk do ta miratojë këtë ligj ka dhënë sinjale edhe gjatë deklarimeve të
fundit, sidomos në fjalimin e fundvitit të kaluar, kur nënvizoi se Ligji për përdorimin e
gjuhëve është jo-kushtetues dhe e cenon unitaritetin e shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *