Goleadori më i mirë i Maqedonisë erdhi në Çair

Skuadra e FC Shkupit nga momenti që ka marrë sponsorin e fuqishëm, ka sjellë dhe shumë ndryshime në klub, duke aranzhuar përgatitjet dimërore në Antalia të Turqisë, pastaj nënshkroi marrëveshje me brendin sportiv italian “Kappa”, por nuk ka ndenjur duarkryq edhe në sjelljen e përforcimeve në afatin kalimtar të janarit.

Së fundmi klubi nga Çairi po tregon se me pronarin e ri Shefket Demiri ka ambicie që për një kohë të shkurtër të kthejë ekipin në një konkurrentë edhe për tituj. Prurja e fundit në kampin bardh e kaltër është golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit të Maqedonisë, Bazhe Ilijoski (130 gola), i cili ka arritur marrëveshje me klubin që të bartë fanellën e kësaj skuadër për 18 muajt e ardhshëm.

Karriera e Ilijoskit është shumë e pasur, duke luajtur në arenën ndërkombëtare, ndërsa në kampionatin vendor ishte pjesë e Rabotniçkit, Metallurgut dhe Pelisterit.
Sulmuesi korpulent që është makineri e golave, ka arritur që tri herë të fitojë titullin kampion me skuadrën e Rabotniçkit, ndërsa pas vete ka edhe pesë tituj fitues i Kupës së Maqedonisë, nga një me Pelisterin dhe Metalurgun dhe tri herë me Rabotniçkin. Gjithashtu ai ka fituar edhe një titull kampion me ekipin tajlandez Bangkok.

Bazhe Ilijoski bëhet futbollisti i katërt që vesh fanellën e FC Shkupit, pasi fillimisht marrëveshje kanë arritur Bllagoja Ljamçevski, Rron Broja dhe Stefan Vujçiç. Sigurisht se tani sulmi me Ilijoskin dhe Jasharovskin do të jetë shumë më i frikshëm për ekipet konkurrente në kampionat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *