enkel1-696x464

Ajo çka po mësohet nga Jetimorja e Shkodrës është e përshtatshme për skenarët e serialitCriminal Minds. Po raportohet që vajza të vogla janë dhunuar seksualisht, djem që janë goditur me shkop në plagë, pasi janë rrethprerë. Fëmijët kanë në trup shenja djegie, ndërsa të gjithë kanë drojë se mbi ta janë shuar bishtat e cigareve. Raportimet janë ngjethëse, kurse Prokuroria urdhëroi që të bëhet kontrolli shëndetësor tek të tërë fëmijët. Duket sikur të miturit kanë qenë në një kamp përqendrimi të maniakëve të dhunës dhe epsheve të sëmura të pedofilisë.

Historia e Shkodrës ka gjasa mos të jetë e vetmja. Hije dyshimi ka për shtëpitë e tjera në qytete të ndryshme, spitale psikiatrike apo qendra ku mblidhen të pamundurit.

E gjitha kjo vjen pse qënia njerëzore respektohet pak në këtë vend, ose më mirë aspak. Fëmijët e mbledhur në një shtëpi si ajo Shkodrës janë burim i tragjedive të mëdha sociale. Jo në të tëra rastet u kanë vdekur prindërit e t’i kenë lënë bonjakë. Ka nga ata që janë braktisur nga baba e nëna prej pamundësisë ekonomike, historive të trafikut njerëzor, drogës, krimit e kështu me rradhë. Pra, në një farë mënyre janë djem dhe vajza që vijnë me një barrë pasigurie, ankthi, tronditjesh, dëshpërimi, skamje, e cila nuk ka si mos të ndikojë në personalitetin e tyre. Pra, me një fjalë janë qënie të dobëta, të cilat luftën e mbijetesës e kanë nisur qysh në shpërgëj.

Pikërisht, këtu nis mungesa e respektit ndaj qënies, sepse këta fëmijë a të rinj konsiderohen njerëz të dorës së dytë, të cilët fati i ka dënuar në gjirizin e shoqërisë, janë njerëz të pavlerë, të cilët nuk dihet pse kanë lindur, rob koti. Sak tek ky robi koti mund të shkrehet si pa të keq dhuna, epshi, devijimi, perversioni. Këta fëmijë mund t’i trajtosh si qentë e rrugëve, të cilët po ta sollën në majë të hundës i rras një shkelm bythëve. Njësoj janë, veç fëmijët nuk kanë atë pullën e verdhë në vesh që ta ngjit Bashkia.

Kjo ngjarje është një rast i mirë për t’i bërë një kontroll me themel të gjithë instituteve, të cilat mund të kenë qenë shënjestër e dhunës dhe abuzimit. Më pas duhet një strategji si duhen administruar këto qendra, le ta quajmë reformë, meqë këtë fjalë e kemi për zemër.

Nëse një shoqëri nuk gjen forcë të ketë respekt për fundorin, atë të qoshit, kemi të bëjmë me një krizë të thellë morale, e cila çon në degjenerimin e saj, zbehjen deri në vdekjen e plotë.

27.al

You must be logged in to post a comment Login

Contact Form Powered By : XYZScripts.com