Erdogan: Turqia nuk heq dorë nga Jerusalemi

“Ne jemi të vendosur të mos heqim dorë nga të drejtat tona në Jerusalem. Ne kurrë nuk do ta lëmë Qabenë tonë të parë [drejtimi nga duhet të kthehet çdo mysliman kur falet, shën.përkth.] në mëshirën e një shteti (Izraeli) që ushqehet me gjak, lot dhe pushtim për dekada”, tha Presidenti dhe Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, Rexhep Tajip Erdoan gjatë darkës tradicionale të iftarit me ambasadorët, organizuar në selinë e partisë në kryeqytetin e vendit, Ankara.

Në fjalën e tij Erdoan u ndal edhe në martirizimin e më shumë se 60 palestinezëve dhe plagosjen e mbi 3 mijë pjesëmarrësve të tjerë nga ushtarët izraelitë në demonstrat e organizuara në kufirin e Gazës, e cila ndodhet nën bllokadë, për të protestuar hapjen e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Jerusalem, më 14 maj.

“Në mesin e dëshmorëve palestinezë, të cilët administrata izraelite i etiketon si ‘terrorist’, ka foshnja 8-muajshe, gra, të rinj, persona me aftësi të kufizuara në karrocë me rrota. Me hapat e fundit provokues që ka hedhur, administrata amerikane është bërë bashkëautore e masakrave të Izraelit. Po e them hapur, duart e Amerikës janë lyer me gjakun e fëmijëve palestinezë”,- vijoi më tej Erdoani dhe shtoi se “Këtej e tutje nuk do të kenë më asnjë vlerë fjalët që do të thotë administrata amerikane për demokracinë, të drejta e njeriut, liritë dhe paqen”.

Presidenti Erdoan theksoi se Turqia e ka shprehur hapur reagimin e saj qoftë kundër vendimit të ShBA-së, qoftë kundër masakrës që ka bërë Izraeli dhe këtë e ka bërë edhe me titullin e Kryetares së radhës së Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), duke shtuar se organizatat e shoqërisë civile në Turqi kanë nisur punimet për trajtimin mjekësor të palestinezëve të plagosur, po ashtu për t’u ardhur në ndihmë palestinezëve të prekur nga sulmet izraelite janë dërguar edhe ndihma urgjente humanitare.

Ditën e premte, më 18 maj, ne realizuam në Stamboll Samitin e Jashtëzakonshëm Islam,- u shpreh Erdoan,- duke shtuar se me komunikatën përfundimtare të pranuar në këtë samit është bërë apel për sigurimin e mbrojtjes ndërkombëtare për popullin palestinez, duke përfshirë këtu edhe rrugën e dërgimit të një force ndërkombëtare paqeruajtëse; hetimin e krimeve izraelite dhe njohjen zyrtarisht nga të gjitha vendet të Shtetit Palestinez.

Gjithashtu në këtë samit,- vijoi më tej Erdoan fjalën e tij,- ne diskutuam edhe mbi masat që mund të hyjnë në fuqi kundër vendeve që e kanë shpallur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit.

Myslimanët janë të vendosur për të mos hequr dorë nga të drejtat e tyre mbi Jerusalemin e Shenjtë,- theksoi Erdoan dhe shtoi: “Ne nuk do ta lëmë kurrë Qabenë tonë të parë në mëshirën e një shteti që për dekada vazhdon të ushqehet me gjak, lot dhe pushtim”./ trt

News Reporter