Ja kur do të merr fund zgjerimi i Qeverisë dhe kush do të jetë, flet Zaevi

Në fillim të majit pritet epilogu nga bisedimet për zgjerimin e koalicionit qeveritar. Megjithëse nuk bën të ditur se me cilat subjekte ka përafruar qëndrimet, kryeministri Zoran Zaev thekson se progresi në bisedime arrihet nga gatishmëria e partive dhe deputetëve jashtë shumicës për të pranuar kushtet për tu bërë pjesë e koalicionit qeverisës.

Unë mendoj se gjatë fundjavës do të mbarojmë me bisedimet. Pas festave të majit planifikoj që ta njoftoj publikun dhe parlamentin rreth ndryshimeve në formacionin qeveritar e pas saj edhe me ndërrimin e drejtorëve nëpër institucione të tjera. Jemi në fund të bisedimeve. Ende nuk dihet se cilat parti do të jenë pjesë e qeverisë. Sipas të gjitha gjasave në fillim të majit organet dhe trupat e të gjitha partive do të sjellin vendime për atë që Zaev bisedon me kryetarët e tjerë të partive. Ne jemi vetëm individë, ndërkaq në fund duhet që vetë organet përkatëse partiake të japin vendime – deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Nga ana tjetër të dy Lëvizjet BESA të përmbajtura në qëndrimet e tyre pas vërejtjes që bëri Zaev ndaj Kasamit dhe Gashit ditë më parë, që bisedimet për zgjerimin e koalicionit të mos i bëjnë nëpërmjet mediave. Të dyja fraksionet konfirmojnë vijimin e bisedimeve por pa përmendur kushte apo kërkesa siç bënin në të kaluarën. Porosinë e kryeministrit për biseda larg medieve mesa duket e ka kuptuar edhe Partia Demokratike Shqiptare e cila gjithashtu nuk jep detaje në lidhje me atë që flasin me qeveritarët. Shumica parlamentare që nga konstituimi ka qenë e interesuar për zgjerim, duke pasur parasysh numrin e vogël të deputetëve që posedon. Deri më tani, Zaev ka arritur që të bëj për vete Çedomir Sazdovskin dhe Amdi Bajram, nga grupi parlamentar i VMRO-së, Vesel Memedin i cili u shkëput nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët, Liljana Popovska dhe Maja Moraçanin të partisë DOM dhe Jusuf Hasan nga Partia Turke.

News Reporter