“Koalicioni qeveritarë”, Zaev porosit “liderët” e Besës: Bisedimet mund të dështojnë

Optimizmi i shprehur publikisht i Bilall Kasamit e Afrim Gashit për tu bërë pjesë e Qeverisë mund t’i kushtojë me dështim të bisedimeve dhe qëndrim në opozitë. Kryeministri Zaev në një prononcim për Alsat M porositë dy liderët e Besës që të kenë kujdes me deklaratat e tyre në media lidhur me bisedimet për zgjerimin e koalicionit. I pyetur për kushtet që Gashi e Kasami i vendosin Zaevit, ky i fundit thotë se asgjë nuk është e sigurt.

Nuk është në rregull që të bisedohet kështu nëpërmjet mediumeve. Nëse bisedojmë në nivel të këtillë, janë shumë të mëdha shanset që të mos arrijmë marrëveshje me askënd sepse paraprakisht do të konsiderohen si të dështuara – tha kryeministri Zoran Zaev për Alsat-M.

Bisedime për tu bërë pjesë e Qeverisë, me kryeministrin Zaev po zhvillon edhe kreu i PDSH-së opozitare Menduh Thaçi. Pas një kohe të gjatë larg mediave, Thaçi në një linjë telefonike për Alsat M konfirmoi bisedimet, por tha se është akoma herët që të flitet për bilancin e bisedimeve, duke mos precizuar se cilat janë kërkesat e partisë së tij për tu bërë pjesë e ekzekutivit.

Është shumë herët që të flitet për bilancin e këtyre bisedimeve. Do të shohim se çfarë do të ndodhë ditëve në vijim -deklaroi Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së.

Nga ana tjetër koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së Tomislav Tuntev, shprehet më optimist se kryeministri Zaev rreth zgjerimit të koalicionit. Ai thotë se së shpejti edhe deputetë tjerë do t’i bashkëngjiten mazhorancës.

Unë mund t’ju siguroj se shumica parlamentare është e hapur për bashkëpunim me të gjithë. Duam që të kemi komunikim me të gjithë deputetët që kanë qëllim që t’i mbështesin politikat e kësaj Qeverie dhe proceset reformuese. Ju e dini që shumica parlamentare që nga fillimi ka tendecë zgjerimin e saj dhe presim që edhe në të ardhmen të zgjerohet, sidomos pas raportit të këtillë pozitiv nga Komisioni Evropian – u shpreh Tomisllav Tuntev, Koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.

Përveç deputetëve të LSDM-së dhe BDI-së, shumica parlamentare tani më ka mbështetjen e Çedomir Sazdovskit dhe Amdi Bajram, të shkëputur nga grupi parlamentar i VMRO-së, Vesel Memedi i shkëputur nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët, Liljana Popovska dhe Maja Moraçanin të Partisë për Ripërtëritje dhe Jusuf Hasan nga Partia Turke. Ndërsa Posti i Ministrit të Drejtësisë dhe Zëvendësministrit të Shëndetësisë mbeten peng i bisedimeve të Zaevit me opozitarët. Gjithashtu në lojë për shkëmbim të posteve mes partnerëve të koalicionit, janë edhe postet e Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë e Punëve së Brendshme.

 

 

News Reporter