MPB me gjashtë zëdhënësa shqiptarë, asnjë shkronjë në shqip

Edhe pse me zëdhënës shqiptarë në disa sektore për punë të brendshme dhe në qendrën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, policia ende nuk u drejtohen mediave në gjuhën shqipe. As buletinet zyrtare e as kumtesat të cilat vijnë nga policia nuk janë në shqip.

Edhe pse në ueb faqen zyrtare është ndarë edhe kategoria e veçantë për materiale në gjuhën shqipe, nëse klikoni në këtë kategori u dalin lajmet e njëjta sikurse në platformën Maqedonisht. Vetëm titujt janë në shqip

Pyetëm Ministrinë e Punëve të Brendshme se kur do të fillojë të zbatohet shqipja në polici.

TV SHENJA pyetje për MPB-në
“Përse nuk kanë filluar ende me punë zëdhënësit shqiptarë që janë emëruar në MPB kohë më parë, ose përse nuk komunikojnë me mediat që raportojnë në gjuhën shqipe në gjuhën e tyre amtare. Kur do të lëshojë MPB-ja kumtesa dhe buletine ditore, por edhe informata të tjera në gjuhën shqipe. Kur do ta vë në funksion MPB-ja edhe ueb-faqen në shqip”

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se janë në përgatitje e sipër për zbatimin e tërësishëm të shqipes në komunikim me mediat dhe qytetarët. Zëdhënësi i policisë Toni Angellovski tha se zëdhënësit e emëruar në sektoret për punë të brendshme janë duke u trajnuar ende për të komunikuar me mediat.

Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së

“Policia gjithmonë është e gatshme që t’u përgjigjet qytetarëve në bashkësitë lokale në gjuhën e tyre amëtare. Janë duke u siguruar mjete teknike dhe burime njerëzore në mënyrë që të gjithë materialet të mund të publikohen edhe në gjuhët e bashkësive të tjera etnike. Tashmë është krijuar një platformë për ueb faqen edhe në shqip dhe shërbimet janë duke i përkthyer përmbajtjet statike. Zëdhënësit do mund të përgjigjen në kërkesat tuaja pas trajnimeve adekuate”

Edhe pse ende nuk ka filluar të flasë shqip, MPB zotohet se do të fitojë besimin e qytetarëve. Në kumtesën dërguar mediave u zotua se gjatë periudhës në vazhdim do të fokusohet në përmirësimin e kushteve të policëve dhe në besueshmërinë e përkushtimin e tyre në punë. MPB paralajmëroi kontrolle më të mëdha në komunikacion dhe sanksionimin e të gjithë atyre që bëjnë shkelje. Njoftoi se kanë marrë 30 radarë të rinj për matjen e shpejtësisë dhe 80 aparate për matjen e nivelit të alkoolit. Por, do të vazhdojë edhe zbatimi i mëtejmë të modelit të emërimit të një polici në secilën mëhallë. Por, MPB siguron se do të bëhet edhe reformë rrënjësore në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. /Shenja.tv

News Reporter