Sqarim nga shtabi i ushtrise ruse mbi bombardimin me te fundem amerikan ne Siri

Sqarim për situatën në Siri i shefit të Drejtorisë së Përgjithshme Operative pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rusisë, gjeneralkolonelit Sergej Rudskoj

Moskë, më 14 prill 2018

Më 14 prill, nga ora 3:42 deri në orën 5:10 (koha e Moskës) forcat ajrore dhe detare të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre sulmuan me raketa objektet ushtarake dhe civile të Republikës Arabe të Sirisë.

Sistemet ruse të mbrojtjes kundërajrore në bazat e Khmeimim-it dhe Tartus-it i regjistronin në kohë dhe i kontrollonin të gjitha lëshimet e raketave si nga transportuesit detarë, ashtu edhe nga ata ajrorë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe. Pjesëmarrja e paralajmëruar e aviacionit francez nuk u vërtetua.

Në sulme u përfshinë aeroplanët e forcave ajrore të SHBA-ve B-1B, F-15, F-16 dhe aeroplanët britanikë “Tornado” të cilët ndodheshin mbi Mesdhe, si edhe anijet e forcave detare amerikane “Laboon” dhe “Monterey” nga zona e Detit të Kuq.

Bombarduesit strategjikë B-1B ngriheshin për këtë sulm mbi territorin sirian në zonën e Al-Tanf , e cila po mbahet në mënyrë të paligjshme nga Shtetet e Bashkuara.

Disa aerodrome ushtarake siriane, si edhe objekte industriale dhe shkencore u goditën nga sulmi me raketa dhe bomba. Sipas të dhënave paraprake, në mesin e viktimave nuk ka popullsi civile as efektivë të ushtrisë siriane.

Sipas informacionit të deritanishëm, u përdorën gjithsej 103 raketa lundrimi, përfshirë këtu edhe ato detare të tipit “Tomahawk”, si edhe bomba ajrore GBU-38 të komanduara nga avionët B-1B. Ndërkohë që avionët F-15 dhe F-16 lëshuan raketa ajër-tokë.

Aeroplanët “Tornado” të forcave ajrore britanike lëshuan tetë raketa të tipit “Skalp EG”.

Sistemet siriane të mbrojtjes kundërajrore, që përbëhen kryesisht nga sistemet e prodhuara në Bashkimin Sovjetik, i rezistuan me sukses sulmet e kryera nga mjetet ushtarake ajrore dhe detare.

U rrëzuan 71 raketa lundrimi. Në zmbrapsjen e sulmit raketor u angazhuan sistemet siriane të mbrojtjes kundërajrore S-125, S-200, “Buk”, “Kvadrat” dhe “Osa”. Kjo dëshmon për efikasitetin e lartë të armëve siriane dhe trajnimin e shkëlqyer të personelit ushtarak sirian të stërvitur nga specialistët tanë.

Gjatë një viti e gjysmë të fundit, Rusia i ka rimëkëmbur plotësisht sistemet e mbrojtjes kundërajrore të Sirisë dhe vazhdon përmirësimin e tyre.

Do të doja të theksoja se disa vite më parë, në vijim të një kërkesë këmbëngulëse të disa prej partnerëve tanë perëndimorë, ne u tërhoqëm nga furnizimet e Sirisë me sistemet raketore kundërajrore S-300. Duke marrë parasysh atë çfarë ka ndodhur, ne e konsiderojmë të mundur të rikthehemi tek shqyrtimi i kësaj çështjeje, dhe jo vetëm në lidhje me Sirinë, por edhe me shtete të tjera.

Objektivat e sulmit ishin gjithashtu bazat e forcave ajrore të Sirisë. Të dhënat e kontrollit objektiv tregojnë si më poshtë:

– ndaj aerodromit Duvali u lëshuan katër raketa dhe u rrëzuan të gjitha;

– ndaj aerodromit Al-Dumayr u lëshuan 12 raketa dhe u rrëzuan të gjitha;

– ndaj aerodromit Blay u lëshuan 18 raketa dhe u rrëzuan të gjitha;

– ndaj aerodromit Shayrat u lëshuan 12 raketa dhe u rrëzuan të gjitha.

Aerodromet nuk pësuan asnjë dëm.

Nga nëntë raketa të lëshuara ndaj aerodromit të Mezzeh i cili është jashtë përdorimit, pesë raketa u rrëzuan.

Nga 16 raketa të lëshuara ndaj aerodromit të Homs-it 13 raketa u rrëzuan. Nuk është regjistruar asnjë dëmtim serioz.

30 raketa u lëshuan ndaj objekteve në afërsi të vendbanimeve të Barzit dhe Jaramanit. Nga ato, shtatë raketa u rrëzuan. Këto objekte, të cilat gjoja kishin lidhje me të ashtuquajturin “program ushtarako-kimik” të Damaskut, janë shkatërruar pjesërisht. Këto objekte ka kohë që nuk përdoren, dhe brenda tyre nuk kishte njerëz apo ndonjë pajisje.

Forcat ruse të mbrojtjes kundërajrore janë vënë në gatishmëri të lartë. Avionët gjuajtës janë ngritur në ajër duke patrulluar zonën.

Asnjë nga raketat lundruese nuk hyri në zonën e mbikëqyrjes të sistemeve ruse të mbrojtjes kundërajrore. Sistemet tona të mbrojtjes kundërajrore nuk u përdorën.

E shohim këtë sulm jo si një përgjigje ndaj sulmit imagjinar kimik, por si një reagim ndaj sukseseve të forcave të armatosura të Sirisë në luftën e tyre për çlirimin e territorit të vendit nga terrorizmi ndërkombëtar.

Madje, sulmi u realizua pikërisht atë ditë kur misioni i posaçëm i ONAK-ut duhet të fillonte punën e tij në Damask për hetimin e incidentit në qytetin e Doumas, ku gjoja ishin përdorur armët kimike.

Unë dua të tërheq vëmendjen tuaj sidomos për faktin se në Siri nuk ka asnjë objekt të prodhimit të armëve kimike, gjë që u verifikua edhe nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike.

Ky fakt i agresionit amerikan dëshmon për mungesën e interesit të SHBA-ve për paanshmërinë e hetimit, për dëshirën e tyre për të prishur procesin e zgjidhjes paqësore të konfliktit në Siri dhe për të destabilizuar situatën në rajonin e Lindjes së Mesme. Ky agresion nuk ka asnjë lidhje me qëllimet e deklaruara më parë për luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Situatën aktuale në Damask dhe vendbanime të tjera siriane ne e shohim si të qetë. Po e monitorojmë me vëmendje zhvillimin e situatës atje.

News Reporter