Ja çfarë biseduan Erdogan dhe Putin për sulmet në Siri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, të shtunën në mbrëmje kanë zhvilluar një bisedë telefonike në të cilën kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre mbi sulmet kundër Sirisë, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Anadolu Agency (AA).

Një burim i afërt me presidentin e Turqisë, tha se Erdoğan ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me Rusinë për të zgjidhur krizën siriane, duke vënë në dukje edhe rëndësinë e mbajtjes së tensioneve në nivel të ulët në Siri.

Gjatë bisedës telefonike, thotë burimi në fjalë, Erdoğan dhe Putin konfirmuan vendosmërinë e tyre për të vazhduar përpjekjet e përbashkëta në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje politike për krizën siriane, ndërkohë që u dakorduan që të jenë të koordinuar mbi çështjet dypalëshe dhe ato rajonale.

Para kësaj bisede, presidenti i Turqisë ka bashkëbiseduar edhe me kryeministren britanike, Theresa May dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.

Si një kundërpërgjigje ndaj sulmit me armë kimike në Duma më 7 prill, SHBA-të, Britania e Madhe dhe Franca, bombarduan objektiva të regjimit të Bashar al-Asadit në Damask dhe Homs, duke goditur depot e armëve kimike.

News Reporter