Maqedonia preket nga depresioni kolektiv, të rinjtë zbrazin vendin

Vendi më i preferuar i shqiptarëve për të migruar rezulton të jetë Gjermania. Në intervistën për emisionin VOX, ekonomisti Visar Ademi alarmon se ambasada e Gjermanisë në Shkup ndanë afro 75 viza pune në ditë ndërsa edhe në shtetet e tjera të zhvilluara shifrat e vizave janë tejet të larta kështu që mbi 2 mijë vetë në muaj dalin nga Maqedonia.

“Shqiptarët realisht më tepër ikin në Gjermani. Unë kam një informacion direkt nga ambasada e Gjermanisë, se në ditë u ndahen viza 75 personave nga Maqedonia. Kjo i bie që afro 1500 njerëz në muaj ikin nga Maqedonia. Në qoftë se sot lajmëroheni për termin në ambasadë për vizë pune, do merrni diku në nëntor terminin. Ka një fluks të madh të ikjeve që është shqetësues. Njohës të mi thonë që edhe ambasada e Zvicrës ndanë diku nga 500 deri 700 viza në muaj. Nëse i kombinoni këto 1500 me ato 500 do bëhen 2000 veta dhe kjo është shumë, dhe bëhet fjalë kryesisht për të rinj”, deklaroi Visar Ademi, ekonomist.

Ademi fajin për këtë fenomen që po i tejkalon gjithë përmasat normale e sheh tek politikëbërësit që thotë se nuk janë munduar për ta ruajtur kualitetin e qytetarëve të tyre. Ademi thotë se Maqedoninë e ka kapur një depresion kolektiv i cili është vonë të shërohet shkaku i politikave të gabuara të qeverisë LSDM-BDI.

“Autoritetet që duhet të japin përgjigje janë ato shqiptare. Është kollaj të vejmë gishtin tek pala shqiptare, por ne kemi përfaqësues. Kemi njerëz të cilët flasin në emër të kombit, shqiptarisë, i bien çiftelisë e sharkisë gjithë ditën dhe flasin për flamurin dhe kombin, por kur vjen puna të jetojnë me problemet ditore të shqiptarëve ato e hedhin fajin dhe thonë se nuk kanë fuqi më tepër. Unë jam njeri i cili është kthyer duke besuar se konceptit se një ditë ky shtet do të rregullohet. Nga 2015 e këtej, e posaçërisht nga ky depresion i fundit dhe me këtë lloj politike kadrovike që bën LSDM-ja por edhe BDI-ja, unë nuk kam të drejtë morale ti them dikujt rri në Maqedoni se do të bëhet më mirë”, tha Ademi.

Ademi kujtoi se vendbanimet shqiptare që janë në kufi nuk lejohen qëllimisht të tregtojnë pa doganë në mënyrë që ta lënë vendin, dhe madje ai beson se qëllimisht nuk lejohet një gjë e tillë që të rritet depresioni dhe ti detyrojnë shqiptarët të largohen nga vendi. Ademi sugjeron që të hapen vende të reja pune me rroga të përshtatshme dhe të investohet në zhvillimin personal që të rinjve në mënyrë që të pengohet zbrazja e shtetit dhe plakja e popullsisë e cila më pas nuk do të mundet aspak të kontribuojë për zhvillimin e shtetit dhe do ta çojë shtetin në kolaps. /albeu.com/

News Reporter