Maliqi: “Luftë” Maksimale për të fituar pikë

Skuadra e FC Shkupit ka zhvilluar sot stërvitjet e fundit para ndeshjes së nesërme që do të luajë kundër Varadrit. Java e 27-të e Ligës së Parë futbollistike, sjell derbin e vjetër të dy ekipeve nga Shkupi, ku skuadra e jonë është mysafire në stadiumin “Arena Nacionale”.

Për duelin e nesërm si zakonisht skuadra nikoqire nuk do të lejon të ketë tifozë mysafir, andaj edhe një derbi do të luhet vetëm me shikues të nikoqirëve.

Por për duelin e të dielës në ekipin bardheklatër shpresojnë se ka mundësi që në këtë duel të nxjerrin rezultat pozitiv, duke e marrë parasysh se çdo pikë në vazhdim të kampionatit do të jenë shumë me vlerë, ndërsa shorti i Shkupit në tri ndeshjet e radhës është mjaft i vështirë, kur do të luhen tri ndeshje në cilësinë e mysafirit, ndërkohë që edhe kalendari do të jetë mjaft i ngjeshur.

Për këtë është shprehur futbollisti defanziv i Shkupit, Edi Maliqi.

“Na pret një periudhë e vështirë, pasi ndeshjet do të luhen çdo të diele dhe të mërkure, sigurisht se ekipi po përgatitet maksimalisht, presim rezultate të mira pasi që kemi nevojë për pikë dhe shpresojmë që do ta fillojmë këtë cikël mirë”, ka thënë Maliqi i cili më tej ka shtuar se ndaj vardarit ekipi shpreson në rezultat të mirë.

“Për ndeshjen e të dielës do të them se është një ndeshje derbi, sigurisht se presim të ketë një “luftë” maksimale dhe pa respekt ashtu siç i ka hije një ndeshje të këtillë, pasi që kemi nevojë për pikët që të kthejmë atmosferë edhe më të mirë në ekip dhe presim në fund rezultat të mirë”, ka përfunduar Maliqi.

Ndeshjen e të dielës që luhet me fillim në orën 16:00 do ta referojë strugani Albrim Shaqiri, ndërkohë që mungesa e vetme te Shkupi mbetet mesfushori Stefan Vujçiç.

News Reporter