Serbia e pengoi Kosovën që ta kryesoi Komisionin për Ekonomi

Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, mori pjesë në takimet e Komisioneve të Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që po mbahen në Slloveni.

Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë këtyre takimeve u përfaqësua nga deputetët: Zenun Pajaziti, Komisioni i Përhershëm Qendror, Glauk Konjufca, Komisioni i Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në fushën e Sigurisë, Avdullah Hoti, Komisioni i Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, si dhe Ismail Kurteshi, Komisioni i Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë anëtarë.

Siç raporton Kuvendi i Kosovës, përveç Kosovës, pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe delegacionet nga Sllovenia, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Moldavia, Rumania, Turqia dhe Serbia.

Sipas agjendës së paraparë gjatë takimeve, u propozuan dhe miratuan kandidaturat për Komisionet e Përgjithshme. Me konsensus u vendos që për periudhën 2018/2019, Komisionin e Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, ta kryesojë Turqia, Komisionin e Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në fushën e Sigurisë, ta kryesojë Maqedonia, ndërsa Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë, ta kryesojë Mali i Zi.

Delegacioni nga Kosova shprehu interes për marrjen e Kryesimit të Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, por u kundërshtua nga Serbia.

Gjatë takimit poashtu u diskutua për stagnimin e vendimit në selinë e Sekretariatit të AP të SEECP-së dhe kërkuan mënyra për të dalë nga kjo situatë.

Nikoqir i takimeve ishte Sllovenia, e cila Kryeson Presidencën e SEECP-së prej 1 korrikut 2017 deri më 30 qershor 2018.

SEECP është një proces rajonal i themeluar në Sofje më 1996 me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe besimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin dhe sigurinë, marrëdhëniet ekonomike dhe bashkëpunimin në dimensionin njerëzor, drejtësinë, luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër terrorizmit.

Procesi rajonal është forumi i dialogut diplomatik dhe politik të vendeve pjesëmarrëse të Evropës Juglindore, të koordinuar nga çdo presidencë (në këtë periudhë Sllovenia).

Asambleja Parlamentare e SEECP ka një rol të rëndësishëm pasi është një organizatë, ambicia e të cilës është të bëhet organizatë udhëheqëse parlamentare në rajon dhe që përfaqëson platformën më të përshtatshme për të përballuar sfidat e Evropës Juglindore.

Kosova merr pjesë në mënyrë të përhershme në aktivitetet dhe takimet e PBEJL-së, në të gjitha nivelet dhe në kushte të barabarta

News Reporter